DOSSIER 01 - DOSJE 01
www.ereniku.net

DOSSIER 01

Ekskluzive:-Veli Llakaj, ish-shefi Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë për 8 vjet radhazi dhe bashkëpunëtori më i afërt i Mehmet Shehut, në këtë numër flet për planin e çlirimit të Kosovës, të koduar “Shpërthimi”, përgatitur më 1980-ën nga ai dhe Maliq Sadushi, me porosi direkte të Enver Hoxhës e nën përkujdesjen e Mehmet Shehut. Hedh dritë e sjell fakte interesante të një pune konspirative, tepër sekrete të protagonistëve, për një fakt të shumëpërfolur nga media vendëse dhe e huaj.


Hartimi i planit“Shpërthimi“ për çlirimin e Kosovës

Veli Llakaj

Plani është hartuar në prill të vitit 1980
Është publikuar nga media e huaj dhe si fakt (pa hollësi) edhe për një plan për çlirimin e Kosovës, a ka ekzistuar ky plan, kush janë hartuesit dhe ç’u bë?
Po ka ekzistuar një plan i tillë i hollësishëm e tepër sekret, i rëndësisë së veçantë, koduar “Shpërthimi”, hartues jam unë me Maliq Sadushin, nën drejtimin e Mehmet Shehut. Sigurisht, gjithçka bëhej me “OK!” e komandantit të përgjithshëm. Është hartuar në prill të vitit 1980, i cili nuk u vu në zbatim për arsye objektive në atë kohë. Është një problem që kërkon dhe do të bëjmë një trajtim veças për lexuesin tuaj. Por theksoj se ky plan tepër sekret i rëndësisë së veçantë ruhej në dy kasaforta; në një kasafortë të vogël ku ishte vetëm pjesa tekstuale dhe grafike e këtij plani dhe çelësat e kësaj kasaforte të vogël dokumentare mbaheshin nga Mehmet Shehu. Ndërsa kjo kasafortë e vogël ruhej në një kasafortë më të madhe të shefit të Shtabit të Përgjithshëm në një zyrë të veçantë të dokumenteve luftarake të Shtabit të Përgjithshëm dhe çelësat e kësaj kasaforte mbaheshin direkt nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm dhe nga askush tjetër. Pra, ky rregull garantonte që asnjë njeri nuk mund të hapte këto dokumente pa qenë prezent ne të dy.
(Shkëputur nga intervista e Veli Llakajt, “Shekulli”, dt. 21 janar 2006)


Date: Dec 29, 1944
Locale: Tirana, Albania
Credit: USHMM, courtesy of Gavra Mandil
Copyright: USHMM

Si do ta çlironte Shqipëria Kosovën.
Ka ekzistuar një plan tepër sekret i ushtrisë e shtetit shqiptar për ndërhyrje ushtarake në Kosovë, janë marrë të gjitha masat teknike e organizative, deri në detajet më të hollësishme për zbatimin e tij, me planëzim forcash e mjetesh, por për arsye deri tani të panjohura (bëhen publike pas 26 vjetësh nga hartuesit etj), ai nuk u vu në jetë. Kështu, i kthyer në legjendë pas vitit 1990 në median vendëse, por i deklaruar edhe nga media ndërkombëtare e zbulimet e huaja, (por pa hollësi), ky plan luftarak i koduar “Shpërthimi”, aq sa gjykohet e arsyeshme për publikim, sillet në faqet e gazetës sonë nga një prej hartuesve, ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë në vitet 1974-1982, Veli Llakaj. Me këmbënguljen e vetë autorit për të qenë sa më i saktë në risjelljen e detajeve të këtij plani 26 vjet pas hartimit, Llakaj sjell edhe konsultën me bashkautorin, ish-zëvendësministrin dhe shokun e tij Maliq Sadushi. Siç pohohet nga Llakaj, ideja e Planit për çlirimin e Kosovës, e kërkuar nga Enver Hoxha, nis me një thirrje urgjente të tij e Mehmetit në zyrën e komandantit të përgjithshëm, shkëmbimin e mendimeve e deri te “garancia” e mbështetjes së Traktatit të Varshavës dhe kushtet në këtë operacion, ndërkohë që Shqipëria e kishte denoncuar dhe kishte dal nga ky pakt i vendeve të Lindjes. Ky plan që dihej nga pak veta (dy hartuesit, Enveri dhe Mehmeti), ruhej në një kasafortë dyfishe në një dhomë të veçantë të Shtabit të Përgjithshëm, me dy çelësa, njërin e mbante Mehmet Shehu dhe tjetrin Veli Llakaj. Për herë të parë, me detaje, që nga urdhri i Enver Hoxhës për hartimin e planit të ndërhyrjes ushtarake në Kosovë, takimet sekrete të Mehmetit e Veliut me nr. 1 të Traktatit të Varshavës, Viktor Kulikov e deri te fati i këtij plani të kyçur në kasaforta, jepen për lexuesin në këtë dosier.
Nga Kujtim Boriçi


Date: Dec 29, 1944
Locale: Tirana, Albania
Photographer: Mosa Mandil
Credit: USHMM, courtesy of Gavra Mandil
Copyright: USHMM

-Garancia e Enverit: ”Traktati i Varshavës nuk do të pengojë ndërhyrjen tonë në Kosovë!”
- Si dhe nga e nisin punën hartuesit e planit „Shpërthimi“, Llakaj e Sadushi, nën drejtimin e Mehmet Shehut.
- Kush dhe si u blenë hartat e planit “Shpërthimi” në Austri.


Një takim i papritur
Një pasdite më merr në telefon Mehmet Shehu dhe më thotë se nesër në ora 09.00 duhet të jesh në zyrën e shokut Enver. Sigurisht, nuk do të ishte një takim sidokudo, por me siguri një takim pune, që do të kërkonte edhe sqarimet përkatëse për probleme të ushtrisë e mbrojtjes, siç bënte zakonisht në takimet tona mujore. I përgjigjem si gjithmonë “si urdhëron”, por për çfarë duhet të përgatitem, pra për t’i raportuar komandantit të përgjithshëm. Mehmeti nuk më thotë ndonjë gjë, por veçse shton se është një takim i thjeshtë për shkëmbim mendimesh; në atë takim do të jem edhe unë. Pavarësisht nga kjo thënie lehtësuese që më bëri Mehmeti, unë u përgatita për disa pyetje që mendoja se do të më bënte dhe përgjigjet që do t’i jepja, jo pak, por parashikova rreth 20-25 pyetje po dhe kaq përgjigje.
Të nesërme në orën e caktuar, sigurisht jo fikse, por disa minuta më parë, po prisja te parazyra e Enverit. Në orën fikse mbërriti Mehmet Shehu, si zakonisht, me një çantë dore të cilën nuk e lëshonte kurrë. Hymë brenda e Enveri na priti me shumë kënaqësi e përzemërsi, duke na porositur si zakonisht nga një kafe dhe nga një kokërr molle. I përdora ato që na serviri, por gjithmonë isha si në gjemba se ku do të dilte dhe si do t’i përgjigjesha. Fillimisht ai na krijojë një ambient shumë të ngrohtë, jo Mehmetit se ai ishte i përditshëm dhe për gjithçka, por për mua që takohesha rrallë me të.
Takimi në zyrën e Enverit
Bisedën e filloi me pyetjen se si jeni ju andej nga Komanda e Përgjithshme, ( se kështu e quante Enveri Ministrinë e Mbrojtjes), si janë shokët, po poshtë nëpër reparte si janë, si i keni lidhjet me ta, çfarë kërkesash imediate kanë dhe çfarë ndihme kërkojnë nga Komanda e Përgjithshme, si jua zgjidhni ju këto probleme, i keni mundësit apo jo etj. ”Kërkoni ndonjë ndërhyrjeje nga shoku Mehmet se ky ua zgjidh gjithçka, se është më i mirinformuar, më i lidhur me hallet e ushtrisë, pastaj vijnë shokët e tjerë e në fund vij edhe unë”, -theksoi mes të tjerave Enveri.
Në përgjigjet që i dhashë, që sigurisht deri këtu ishin shumë të thjeshta, ndërhyra e shtova se ju nuk vini në fund, shoku Enver, por për neve jeni gjithmonë i pari dhe hallet më të ndërlikuara po ju do të na i zgjidhni etj.
Mbasi e krijojë këtë ambient tepër të ngrohtë, më pyeti: ”Ju, si shtatmadhor, a i ndiqni situatat e komplikuara në Jugosllavi e veçanërisht në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni e më gjerë?” Në këtë rast unë mendoj se kam qenë disi i privilegjuar nga shokët e tjerë, me përjashtim të shokut Llambi Gegprifti, pasi edhe unë merrja buletinin e lajmeve speciale, por këto nuk i monopolizoja thjesht si person, por ua jepja dhe zëvendësministrave t’i lexonin e veçanërisht Drejtorisë së Zbulimit, shokut Eqerem Osmani që edhe ai të ishte po aq sa unë i informuar për këto probleme së bashku me shokët e tij të zbulimit.
I shpjegova me hollësi se ne i ndjekim me shumë vëmendje dhe jemi në dijeni të plotë të çfarëdo situate, të demonstratave masive të popullsisë së këtyre treva dhe në mënyrë të veçantë të studentëve të Universiteti të Prishtinës. Gjithashtu, me keqardhje - i shtova më tej- po përjetojmë dhe reprezaljet që po bëjnë revizionistët jugosllavë mbi popullsinë shqiptare të pambrojtur. Duket se i pëlqyen këto njohje, por nuk bëri asnjë ndërhyrje apo prononcim për sa dëgjoi.
Pyetje tjetër interesante ishte sepse ai kërkoi me imtësi të dinte, sikurse edhe mund ta dinte shumë mirë edhe nga burime të tjera të zbulimit të jashtëm, që duhet thënë se ata ishin aq të mirinformuar, e më shumë nga ne. Shpjegova me detaje përqendrimin e të gjitha forcave të ushtrisë Jugosllave në Kosovë, në Maqedoni dhe në Mal të Zi, duke dhënë dhe vend dislokimet e tyre në çdo komunë, efektivat, armatimin e lehtë e të rëndë, etj., të dhëna këto që duhej t’i dinte përmendësh çdo kuadër ushtarak i çdo rangu. Shtova se kudo në këto dislokime nuk kemi asnjë të dhënë se a ka oficer madhor komandues shqiptar në krye të këtyre njësi, me përjashtim të Kërçovës në Maqedoni që komandanti i divizionit, gjeneral Ibrahimi, është shqiptar dhe me prirje të theksuara, me aq sa dinim, pro shqiptare.
Duke dëgjuar këtë lloj përshkrimi apo panoramën që i bëmë, ai më pyeti: ”Si thoni ju të Komandës së Përgjithshme dhe të Shtatmadhorisë, mundet që ne të bëjmë një ndërhyrje ushtarake për çlirimin e popullsisë shqiptare në këto treva për t’i çliruar një herë e përgjithmonë nga thundra revizioniste e fashiste, ashtu siç ndërhymë edhe gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare?” Ky propozim më çuditi, por edhe më hutoi, dhe isha në vështirësi e dilemë, që përse nuk ia bënte këtë pyetje Mehmet Shehut, por mua? Jam i bindur se ata të dy këtë çështje mund ta kishin shoshitur disa herë dhe kanë rënë dakord, por tani, si duket, ka ardhur koha te konkretizimi dhe përgatitja e ndonjë plani operacioni luftarak.
Qëndrimi im ishte disi indiferent, por i trembur. Në moment nuk dhashë asnjë përgjigje, por thjesht mblodha supet, çka do të thoshte se nuk jam në gjendje t’i përgjigjem. Enveri me një herë ndërhyri.”Përse heziton, çfarë të mundon, pse nuk ke besim!” Atëherë e mblodha veten dhe iu përgjigja: “Shoku Enver, në situatën aktuale të krijuar, kur regjimit serb po i digjet toka nën këmbë nga forcat kryengritëse të popullatës shqiptare kudo në trevat e banuara nga shqiptarët edhe mund të ndërmerret një operacion i tillë, por ne nuk kemi atë fuqi jo vetëm goditëse, por as të shpejtësisë së mjeteve të blinduara ta bëjmë këtë në kushte kur në këtë situatë mund të ndërhyjnë Forcat e Traktatit të Varshavës të dislokuara në Hungari, Bullgari e Rumani, pra po ndërhynë këto forca, ne jemi të dështuar!”. “Sepse, -vazhdova t’i flisja më tej Enver Hoxhës, -këto (Forcat e Traktatit të Varshavës) do të vijnë më shpejt se trupat tona jo vetëm në Gjilan-Prishtinë-Ferizaj-Mitrovicë-Klinë, por unë mendoj se në momentin kur ne të kemi hyrë në Prizren nga drejtimi i Kukësit dhe Hasit, në Gjakovë-Pejë-Deçan nga drejtimi Tropojës, apo në Strugë nga drejtimi Librazhd-Rajcë etj. Forcat e Traktatit të Varshavës në bashkëveprim me forcat e ushtrisë jugosllave kanë mbërritur përafërsisht në Tharandë (Suharekë) Malishivë-Rahovec.” Kurse në drejtim të Maqedonisë, -vazhdova unë më tej- që ne mund të futemi nga Rajca mbi Strugë ose nga Tre Portat e Korabit drejt Kërçovës ose në çdo drejtim tjetër, forcat kundërshtare na kanë marrë Kërçovën bashkë me divizionin e gjeneral Ibrahimit.
Pa mbaruar akoma argumentet që po jepja, Enveri më ndërpreu dhe më thotë: “Po sikur ta rregulloj unë me Mehmetin që Forcat e Traktatit të Varshavës të mos futen, a mund të futemi në luftë e të çlirojmë Kosovën?” Pashë i përqendruar, pa kuptuar fillimisht se ku donte të dilte, ndërsa më pas do të kuptoja disa gjëra që as më kishin shkuar ndërmend deri në ato momente që isha në krye të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë.

Plani sekret i Enver Hoxhës për çlirimin e Kosovës!

Që prej të paktën 15 vjetësh, shqiptarët në mbarë Ballkanin janë përfshirë në një debat të brendëshëm mbi rolin e të fortit të Shqipërisë komuniste Enver Hoxha, në cështjen e Kosovës. Opinioni se Enveri nuk e deshi Kosovën ka qenë pothuajse dominant. Një pjesë e mirë madje shkojnë deri aty sa të thonë se Enver Hoxha e tradhëtoi Kosovën.

Rezistenca përballë këtyre opinioneve që mund të jenë krejtësisht të gabuara ka qenë shumë e dobët ose ka munguar fare, për arsye objektive dhe subjektive. Krahu i djathtë i Hoxhës, Ramiz Alia ka qenë ndër të rrallët ish zyrtarë komunistë që e ka mbrojtur fuqishëm deri në fund politikën e Hoxhës përsa i përket cështjes së Kosovës dhe shqiptarëve në Ballkan. Sipas zotit Alia, Shqipëria ka qenë në armiqësi të përherëshme me Jugosllavinë komuniste dhe Kosova ka qenë e vetmja arsye. Në një intervistë të gjatë dhënë një reviste amerikane, kohët e fundit, Alia ka thënë ndër të tjera se të tentoje forcën kundër Jugosllavisë së pasluftës, do të ishte cmenduri për Shqipërinë e varfër me një ushtri shumë më të vogël. Sipas tij, anjëherë nuk ka patur ndonjë rast të volitshëm për një veprim ushtarak të Shqipërisë kundër Jugosllavisë. Por intervistuesi amerikan apo përkthyesi shqiptar kanë humbur në këtë intervistë një detaj shumë të rëndësishëm. Ç`kuptonte Alia me "rast të volitshëm"? Mos vallë Shqipëria ishte përgatitur për një variant të luftës dhe kishte pritur "rastin e volitshëm"? Alia paralajmëron se një ditë, kur arkivat sekrete të Shqipërisë komuniste do të hapen, shqiptarët do të mësojnë shumë të vërteta të këndëshme, do ta kuptojnë sesa e gabuar është të akuzosh Hoxhën për tradhëti kundër Kosovës.

Këto ditë një tjetër figurë e rangut të lartë të nomenklaturës së ushtrisë shqiptare, ka pranuar të hap dosjen e kujtimeve të tij personale. Dhe nëse ka njeri në Shqipëri që e din të vërtetën e kësaj çështjeje ai është pa dyshim Veli Llakaj, Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare. Çështja është nëse duhet t`i besohet atij. Në një intervistë Llakaj flet për një plan tepër sekret të ushtrisë shqiptare që parashikonte çlirimin e Kosovës. Madje ai pretendon të ketë qenë njëri nga hartuesit kryesor të këtij plani.
"Po, ka ekzistuar një plan i tillë i hollësishëm e tepër sekret, i rëndësisë së veçantë. Hartues jam unë me Maliq Sadushin, nën drejtimin e Mehmet Shehut. Sigurisht, gjithçka bëhej me aprovimin e komandantit të përgjithshëm. Është hartuar në prill të vitit 1980, i cili nuk u vu në zbatim për arsye objektive në atë kohë. Por theksoj se ky plan tepër sekret ruhej në dy kasaforta; në një kasafortë të vogël ku ishte vetëm pjesa tekstuale dhe grafike e këtij plani dhe çelësat e kësaj kasaforte të vogël dokumentare mbaheshin nga Mehmet Shehu. Ndërsa kjo kasafortë e vogël ruhej në një kasafortë më të madhe, të shefit të Shtabit të Përgjithshëm në një zyrë të veçantë të dokumenteve luftarake të Shtabit të Përgjithshëm, dhe çelësat e kësaj kasaforte mbaheshin direkt nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm dhe nga askush tjetër. Pra, ky rregull garantonte që asnjë njeri nuk mund të hapte këto dokumente pa qenë prezent ne të dy.

A mendoni se Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu e kanë tradhtuar Kosovën dhe kanë qenë kundër çlirimit të saj, siç është folur e shkruar jo pak gjatë këtyre viteve të fundit?

Absolutisht jo. Do të them vetëm një hollësi për sot. Mehmet Shehu më ka takuar mua me një grup aktivistësh të Kosovës në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës që më 1979-ën, të cilët ishin në krye të revoltave e demonstratave të njohura më 1980-ën. Edhe sot ruaj miqësinë me ta. Po të njihesh me planin për çlirimin e Kosovës, do të njihesh edhe me qëndrimin dhe përpjekjet e Enverit për çlirimin e saj, si ideatori kryesor për një Kosovë të lirë e sovrane, deri në dhënien e detyrës direkte Shtabit të

Gjatë luftës në Kosovë, ju e shumë kolegë tuaj keni qenë atje, diçka më konkretisht?

Çlirimin e Kosovës (çlirim për mua është pavarësia e plotë që presim) çdo bashkëkombas e ka pasur peng, e për më tepër unë që hartova dy dekada më parë planin për çlirimin e Kosovës dhe i kisha një borxh të madh Kosovës në këtë rast për tia shlyer. Une e pranoj hapur se kam qenë në Kosovë, shto këtu dhe Medvegjë-Bujanovc e tokat shqiptare në Maqedoninë e sotme, jo vetëm ditën që nisi lufta e deri sa mbaroi, por dhe më parë. Duke ua lënë të drejtën e leximit të arkivës sime personale, për këtë rast, disa detaje mund tua them dhe në këtë intervistë. Na erdhi një platformë nga Këshilli i Mbrojtjes së Kosovës, si shoqatë e Ushtarakëve Shqiptarë në Rezervë, të cilën na e dorëzoi një emër i njohur kosovar. Na kërkohej ndihmë direkte për përgatitjen e disa grupe kuadrosh e luftëtarësh nga ana ushtarake, njëkohësisht dhe ndihmë direkte me kuadro të larta në shtabe e drejtim luftimesh në tokat kosovare të pushtuara. Dua të theksoj këtu dhe ndihmën që ka dhënë në këtë drejtim dhe kolegu im, Zyhdi Kroi, kryetar i Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve shqiptare në Rezervë. Kemi takuar edhe presidentin e vendit Rexhep Mejdani për këtë "mëkat" tonin, e sigurisht ai bëri atë që duhet të bënte. Pra kemi bërë vetëm detyrën, ndonëse mund të ndodhte, siç kemi disa raste, që mund edhe unë të mos isha sot këtu me ju në këtë intervistë.

Nga kjo pjesë e intervistës së zotit Llakaj dhënë një të përditëshmes në Tiranë, duket se hidhet dritë mbi një epokë shumë të errët të historisë pesëdhjetë-vjecare të shqiptarëve. Zoti Llakaj ka dhënë prova të shumta se i përket asaj pjese të ushtrisë komuniste që i dedikohej me mish e me shpirt mbrojtjes së Atdheut dhe detyrës fisnike të ushtarakut. Mos vallë Llakaj me shokë e zbatuan atë plan 18 vjet më vonë dhe garantoi suksesin e jashtezakonshem të UÇK-së? Le të presim botimin e kujtimeve të plota të Komandant Llakos dhe hapjen e dosjeve tepër sekrete për të mësuar të vërtetën e plotë.

Veli Llakaj, ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë dhe zëvendësi i parë i ministrit të Mbrojtjes, në këtë numër tregon se si u përgatit dhe u mbrojt plani sekret i ndërhyrjes ushtarake të Shqipërisë për çlirimin e Kosovës, personat që hartuan dhe u njohën me ‘të si dhe masat ruajtëse e përgatitja me shtabe e trupa për zbatimin konkret të tij. Enveri: “Me Traktatin e
Varshavës e rregulloj unë dhe Mehmeti!” “Shpërthimi” për çlirimin e Kosovës

Riparimi i një padrejtësie historike, ndarja e Shqipërisë me kufijtë e vitit 1913, lënia jashtë saj e Kosovës, tashmë vjen një moment që nga krerët e atëhershëm të shtetit shqiptar, ndreqja e kësaj padrejtësie, të shikohej nëpërmjet një ndërhyrje ushtarake. Siç është përfolur në opinion, në median vendëse dhe të huaj, veçanërisht pas vitit 1990, por siç konfirmohet në detaje edhe nga ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë në vitet 1974-1982, Veli Llakaj, në shënimet e tij për çlirimin e Kosovës nga ushtria shqiptare, u përgatit një plan tepër sekret i rëndësisë së veçantë, që njihej vetëm nga 4 veta gjithsej, e që ishte gati për t’u vënë në zbatim. Në funksion të ndërhyrjes ushtarake, siç mësohet nga dokumentet e kohës dhe rrëfimet e protagonistëve, janë zhvilluar një sërë stërvitjesh të ndryshme me shtabe e trupa në atë kohë, me rikonjicione të plota, deri në precizimin e detyrave për të gjitha nënrepartet, repartet e njësitë që do të merrnin pjesë në çlirimin Kosovës. Enver Hoxha si komandant i përgjithshëm i Forcave të Armatosura, u lë detyrë vetëm 45 ditë hartuesve të planit “Shpërthimi”, Veli Llakajt e Maliq Sadushit. Por ajo që bie në sy gjatë shënimeve dhe që ishte e pabesueshme për kohën, e pse jo deri në ditët e sotme, është fakti i sigurisë që garantonte Enveri se Traktati i Varshavës nuk do të ndërhynte në luftime për të penguar çlirimin e Kosovës nga ushtria shqiptare. Kjo për faktin se Shqipëria jo vetëm kishte dalë nga ky pakt ushtarak i vendeve të Lindjes, por e kishte denoncuar atë botërisht si organizëm pushtues. Mbi këtë bazë e garanci të komandantit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura, dy ushtarakët madhorë shqiptarë, së bashku me Mehmet Shehun, hartojnë planin e ndërhyrjes ushtarake “Shpërthimi” dhe përgatisin forcat e mjetet për realizimin e tij. Por ka qenë kushti i vënë nga Traktati i Varshavës dhe komandanti i tij, Viktor Kulikov, (me të cilat do të njihet lexuesi në numrat në vazhdim) në takimet sekrete me dyshen Mehmet-Veli, që do të mbanin për shumë kohë të kyçur në kasaforta të dyfishta këtë plan ndërhyrjeje. Në këtë numër, Llakaj sjell për lexuesit detaje interesante gjatë kontakteve me Enverin, bashkëpunimin me Mehmetin etj., dhe si u realizua kjo detyrë.
Nga Kujtim Boriçi

Nesër do të lexoni:
-Përfundimi i planit “Shpërthimi” dhe mbrojtja e tij para komandantit të përgjithshëm. Maketi i fushëbetejës në një nga mjediset e siguruara të Komitetit Qendror.
- Si dhe pse u vendos që me planin sekret për ndërhyrjen ushtarake në Kosovë të njihen kundrejt firmës edhe Adil Carcani, Ramiz Alia dhe Kadri Hazbiu.
- Masat ruajtëse të dokumentit, përgatitja me shtabe dhe trupa për zbatimin tij në
terren.


Propozim interesant dhe befasues

Isha përgatitur t’i raportoja Enverit për çdo problem në strukturat e ushtrisë, por nuk e kisha menduar se thirrja ime urgjente në zyrën e tij së bashku me Mehmet Shehun do të kishte një tematikë tepër të rëndësishme, për mua, të papritur! Gjithsesi, nën efektin e “garancisë” që më afroi Enveri me shprehjen:
“Po sikur ta rregulloj unë me Mehmetin që forcat e Traktatit të Varshavës të mos ndërhyjnë, a mund të futemi e të çlirojmë Kosovën?”, duhej të bëja llogaritë shumë shpejt e të përgjigjesha. Të them të drejtën u shushata fare, se si ka mundësi kur ne shaheshim përditë me revizionistët e të gjitha vendeve të Lindjes e në mënyrë të veçantë me ata sovjetikë, si mund ta rregullonin këta këtë çështje luftarake kaq kapitale! Pa u menduar fare, por me një analizë të shpejtë që bëra të raportit të forcave e situatës luftarake në luftën e pritshme, i përgjigjem: “PO!”. Bëhet fjalë për më shumë se dy dekada e gjysmë më parë, e ndoshta, ky moment e kjo bisedë ka qenë i pari për mua të mësoj se ç’është politika, ku jo çdo gjë që thuhet e premtohet haptas, është e do të bëhet ashtu siç thuhet; përkundër, në të shumtën e rasteve, ndodhe kundërta!<BR>Pasi e pranova këtë version, megjithëse jo shumë bindës për mua, duke menduar se këta kërkojnë të më fusin në valle që të bëhet një plan i ndërhyrjes ushtarake për çlirimin Kosovës dhe pastaj shohim e bëjmë sipas situatave që mund të krijohen. Enveri më merr mendimin se sa kohë më duhen ta paraqes planin tek ai dhe Mehmeti për miratim.
Unë ju përgjigja se kjo varet me sa persona do të punojnë për hartimin e tij. Ndërhyn Mehmeti: ”Do të punosh vetëm me një person dhe unë, (pra, Mehmeti, V. Ll. ), do të jem në krye të këtij grupi pune”. Kërkova 30 ditë kohë. Enveri më thotë: ”Po të lëmë 45 ditë, por plani të jetë i argumentuar saktësisht e deri në çdo detaj nga ana ushtarake”. Marrja e detyrës u bë fakt i kryer, ishte një detyrë e vështirë, jo e lehtë, por thellë ndjeva një gëzim e kënaqësi të pa provuar. Meqenëse më lejohej të bashkëpunoja vetëm me një njeri, nuk ishte e lehtë të zgjidhja e për më tepër të vendosja vetë. Kërkova se a kishin ata ndonjë mendim se me cilin do të punoja unë. Enveri më thotë: ”Zgjidhe vetë!” Propozova nja tre persona, ndër kuadrot më të lartë e më të përgatitur ushtarakë të vendit. Pasi dëgjojnë, Mehmeti i thotë Enverit: ”Do të punojë vetëm me Maliq Sadushin që është zëvendësministër i Mbrojtjes, është i aftë, konspirativ, ka mbaruar akademinë ushtarake “Frunze”, ndërsa unë do të jem në krye të këtij grupi!”.
Mehmeti i kishte idhuj të gjithë ata ushtarakë që kishin mbaruar akademitë ushtarake “Frunze” dhe “Vorshillov”, por Maliqi qe i përzgjedhuri i tij, edhe për faktin se ka qenë partizan i Brigadës 5 Sulmuese në çlirimin e Kosovës dhe e njihte shumë mirë terrenin, garanci kjo e domosdoshme për një planëzim e zbatim të saktë të planit luftarak. Për mua, ishte një kënaqësi tepër e veçantë se do të punoja me Maliqin për hartimin planit për ndërhyrjen ushtarake në Kosovë, për faktin se ishim shokë, kolegë, njiheshim mirë, si dhe ishte profesionalisht tepër i aftë.

Fillimi i punës për përgatitjen e planit
Ajo natë, për mua, ishte një natë ankthi. Vrisja mendjen se si do të veprohej më tej, çfarë detyra do të merrja, si do ta filloja punën, çfarë vështirësish do të hasja, e shumë e shumë gjëra të tjera. Gjithçka kishte ardhur papritur, e tashmë suksesi i planit dhe operacioni i pritshëm varej nga ne.
Të nesërmen e asaj dite Mehmet Shehun vjen në zyrat e Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, më thirri mua dhe shokun Maliq Sadushi, ku na precizoj detyrat përkatëse, na dha orientime shumë precize ashtu siç t’i jepte ai.
Afërsisht na përcaktoi zonat e veprimeve luftarake të çdo korpusi që do merrte pjesë në këtë operacion, brigadat e këmbësorisë, të tankeve, të artilerisë dhe llojeve të armëve e shërbimeve për çdo specialitet, afërsisht vendkomandën e grupit operativ të Shtabit të Përgjithshëm që do të drejtonte operacionin, disa vendkomanda rezervë në drejtimin e Maqedonisë e të Malit të Zi, vendkomandat e korpuseve e të brigadave, drejtimet e goditjeve kryesore për çdo drejtim, rezervat materiale në ushqim, veshmbathje e medikamente mjekësore etj. Na përcaktoi afërsisht edhe të gjitha njësitë ushtarake që do të merrnin pjesë në operacion, duke caktuar edhe njësitë sulmuese apo repartet e zbulimit që do të vepronin në terrenet më të vështira e që do të jepnin goditje rrufe e në befasi. Pasi na dha detyrat e mësipërme, Mehmeti shtoi: “Unë kaq munda t’u jap për sot, ju i shikoni dhe veproni me kompetencë vetë, ashtu si ta gjykoni dhe mos i qëndroni strikt këtyre që ju them unë”. <BR>Ai u interesua shumë edhe për hartat topografike me të cilat do të përpilohej plani, duke më porositur mua që të shikoj me shumë kujdes hartat që të jenë sa më të reja e të kenë sa më shumë objekte, në të kundërt dërgoni me urgjencë në Austri ose Zvicër. Për këtë Mehmeti shtoi: “Të merrni hartat më të fundit (të reja e me shumë objekte), mos llogarisni çmimin se sa janë!”. Më pas shtoi: ”Kjo punë kërkon operativitet, iniciativë dhe marrje përgjegjësie mbi vete, e mos u mbytni me një pikë uji!”. Pra, si duket, ai (M.SH) kishte menduar e punuar tërë natën dhe të nesërmen na i komunikoi ne këto detyra. Për problemin e hartave, u konsultova me shefin e Degës së Topografisë në Ministrinë e Mbrojtjes shokun Limoz Alimucaj dhe drejtorin e Institutit të Topografisë shokun Përparim Likaj. Mbasi ju kërkoj hartat për një studim të hollësishëm të terrenit, në trojet etnike shqiptare (Mali i Zi-Kosovë-Maqedoni), pa u treguar qëllimin e vërtetë pse i doja. Ata më rekomanduan, sipas të dhënave që kishin, se harta të tilla me objekte të sakta e të imtësishme kishte kryesisht në Austri. Atëherë bisedova me Përparim Likën dhe ai u dërgua në Zvicër për blerjen e këtyre hartave, i shoqëruar nga një punonjës i Ministrisë së Punëve të Jashtme, pjesëtar i zbulimit të jashtëm. Këto harta u blenë me ato çmime që afruan austriakët. U sollën në Shqipëri, u përgatitën nga grupi përkatës i Institutit të Topografisë dhe iu dhanë Shtabit të Përgjithshëm në përdorim. Pra, plani i ndërhyrjes ushtarake në Kosovë, i quajtur “Shpërthimi”, u përgatit mbi bazën e këtyre hartave që kishin të dhëna të hollësishme të terrenit dhe objekteve përkatëse.


Ekskluzive/ Veli Llakaj, një nga dy hartuesit e planit për ndërhyrje ushtarake në Kosovë, në këtë numër tregon për stërvitjen e korpuseve, grupimeve e reparteve autonome të vendit që ishin planifikuar për zbatimin e operacionit të koduar „Shpërthimi“. Njëkohësisht, ai tregon fatin e planit dhe porosinë e Mehmet Shehut gjatë kyçjes së planit në disa kasaforta.

Edhe pse kanë kaluar plot 26 vjet nga hartimi i planit për ndërhyrje ushtarake në Kosovë, (çlirimin e saj) hartuesit e tij, ende disa hollësi vazhdojnë t’i mbajnë sekret, duke mos e gjykuar të arsyeshme t’i bëjnë publike tani. Në arkivën personale të ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Veli Llakaj, për periudhën 1974-1982, ndodhen dhe tre kapituj të veçantë (shënime) që ai na kërkoi të mos jenë pjesë e dosierit në vazhdim. Në dy prej tyre bëhet fjalë për takimet (dy të tilla) që autori dhe Mehmet Shehu kanë bërë me ish-kreun e Traktatit të Varshavës, Viktor Kulikov, lidhur me idenë e zbatimit të planit të ndërhyrjes në Kosovë. Ky fakt, pra, këto takime (të bëra në kohën kur Shqipëria kishte dalë nga Traktati i Varshavës dhe e kishte denoncuar atë), ndonëse është përfolur edhe në median vendëse dhe të huaj këto vitet e fundit, (kushti: “Nuk do të ndërhyjmë në operacion, por pas tij rikthehuni në Traktat...”), ushtarakët madhorë shqiptarë e gjykojnë të mos japin detaje. I këtij mendimi është dhe bashkautori i planit „Shpërthimi“, Maliq Sadushi. Duke qenë të përgjegjshëm për detyrat e larta shtetërore që kanë pasur, edhe kërkesa e mësipërme erdhi pas një konsulte që Llakaj e Sadushi bënë këto ditë.
Ndërsa kapitulli i tretë në vazhdim bën fjalë për numrin e reparteve dhe njësitë që ishin planëzuar e përgatitur për të kryer veprimet luftarake në tokën kosovare, numrin e forcave dhe drejtimet konkrete të operacionit që do të kryenin. Megjithëse pas vitit 1990, veçanërisht në trazirat e 1997-ës, nga shumë institucione shtetërore, përfshi edhe Ministrinë e Mbrojtjes, sekretet dolën sheshit, në respekt të ligjit e detyrës që kanë pasur hartuesit e „Shpërthimi“, nuk duan të jenë pjesë e shkeljes apo neglizhimit të ligjit. Ndërsa shkaku i arkivimit të planit për një moment tjetër të përshtatshëm, për ushtarakët është problem i politikës dhe udhëheqjes më të lartë shtetërore të kohës.
Ndërkohë, shënimet e publikuara në numrin e sotshëm të gazetës nga Llakaj, bëjnë fjalë për vitin 1980, kohë në të cilën sapo kishte përfunduar plani për ndërhyrjen ushtarake në Kosovë, ishte bërë konsulta me Enver Hoxhën e nisin përgatitjet për aftësimin e shtabeve dhe trupave për detyrat e përcaktuara në këtë plan.


Ekskluzive: Në këtë numër, ish-Shefi i Shtabit të Ushtrisë Shqiptare në vitet 1974-1982, Veli Llakaj tregon se si ai së bashku me zëvendësministrin e Mbrojtjes, Maliq Sadushi, nën drejtimin e Mehmet Shehut, e me përkujdesjen e Enver Hoxhës, përgatitën planin e ndërhyrjes ushtarake për çlirimin e Kosovës, të koduar “Shpërthimi” si dhe argumentimin e mbrojtjen e tij, para Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Plani “Shpërthimi”, përgatitet dhe mbrohet para Enverit.
Detajet e hartimit të një plani “Top-Sekret!” Një punë voluminoze nga ana tekstuale dhe grafike, shoqëruar me sigurimin e bazës materiale dhe ndërtimin e moketit të terrenit luftarak, nga dy ushtarakët më të lartë të vendit, përkatësisht Veli Llakaj e Maliq Sadushi, brenda një afati kohor prej 45 ditësh të dhënë nga Komandanti i Përgjithshëm Enver Hoxha, çon në përgatitjen e planit të koduar “Shpërthimi”, për ndërhyrje ushtarake në çlirimin e Kosovës. Mehmet Shehu, në atë kohë Kryeministër i vendit e njëkohësisht Ministër i Mbrojtjes, që ishte ndërkohë dhe drejtues i planit, siç konfirmon në shënimet e tij Veli Llakaj, ka dhënë një kontribut tepër të çmuar në të gjitha fazat e punës, që nga ideja, llogaritja e raportit të forcave e mjeteve, detajet e ndeshjes në fushën e luftimit etj. E gjithçka është kryer me përgjegjësi e me sekret tepër të madh. Njëkohësisht, hartuesit, (që duhet të ishin dhe zbatuesit e “Shpërthimit” në terren), janë përgatitur dhe për mbrojtjen e këtij Plani para Enver Hoxhës. <BR>Në shënimet e tij, autori Veli Llakaj jep gjithashtu detaje tepër interesante, të panjohura deri tani, që nga interesimi i Enverit për mbarëvajtjen e punës, deri tek transferimi i maketit plastik (terreni në miniaturë) nga zyra sekrete e Shtabit të Përgjithshëm, në një nga sallat e Byrosë Politike të Komitetit Qendror, ku duhet të shihej e miratohej nga Enver Hoxha. Gjithçka bëhet në konspiracion të plotë, brenda afateve të caktuara, miratohet nga Komandanti i Përgjithshëm dhe nis puna teorike e praktike e Shtabit të Përgjithshëm për përgatitjen e Shtabeve të reparteve, njësive dhe trupave që ishin planëzuar të merrnin pjesë, në këtë operacion luftarak.
Nga Kujtim Boriçi


Si u vendos dhe si u punua ky plan
Mbas mbarimit të punimit të këtij plani, ku dora e fundit ju dha nga Mehmet Shehu, i cili bëri dhe ndryshimet përkatëse për çdo njësi dhe për çdo drejtim, tashti ai ishte gati për miratim. Të gjitha ndërhyrjet, ndryshimet apo më saktë sugjerimet e Mehmetit, që u ripërfshinë në Planin “Shpërthimi”, u bënë në konsultë me mua dhe Maliqin.
Pas kësaj pune me shumë përgjegjësi, unë do të theksoja se shoku im Maliq Sadushi ka meritë të veçantë në këtë çështje, pasi me mendimet e njohuritë e pashtershme të tij, punoi që nga fillimi deri në fund, derisa materiali u dorëzua në destinacion dhe u quajt i pranueshëm, për t’u vënë në zbatim pa hezitim. Ky material është daktilografuar nga sekretari personal i Mehmet Shehut, Peçi Kalluçi dhe askush tjetër nuk ka parë apo ka pasur dijeni për të, kurse të gjitha hartat përkatëse, janë punuar nga unë mbi bazën e materialit teorik, i parë dhe i konsultuar me Maliq Sadushin.
Paraqitja e materialit te Enver Hoxha
Disa ditë më vonë, mbasi Mehmeti i kishte raportuar Enverit se plani është gati, ky i kishte kërkuar që, kur t’a shikoni të arsyeshme mund ta shikonte. Haxhi Kroi, ish-sekretar personal i Enverit, më merr në telefon dhe më thotë se nesër në ora 10.00, të kërkon Komandanti në zyrë bashkë me atë materialin. Në vazhdim të bisedës, Haxhiu shtoi se nuk i kishte thënë se për çfarë materiali bëhej fjalë. Falenderova Haxhi Kroin dhe i thashë se e di çfarë materiali kërkon shoku Enver. Në orën e caktuar shkova dhe ju paraqita ushtarakisht. Më ftoi të ulem si zakonisht, më pruri një kafe, filloi bisedën tepër shoqërore, për të më hequr sado pak emocionet që mund të kisha. Ishim vetëm për vetëm. (Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Veli Llakaj dhe Komandanti i Përgjithshëm i F.A., Enver Hoxha). Siç e kam thënë edhe në shënimet e mëparshme, ishte normë që Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, takohej çdo muaj me Komandantin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, për raportim rreth problemeve të ndryshme në ushtri apo në fushën e mbrojtjes së vendit, por ky takim i radhës me Enver Hoxhën, ishte ndryshe, krejt i veçantë e për një problem tepër të rëndësishëm.
Pas pak, unë isha gati që t’i raportoja për çka ai më kishte thirrur. Nxora materialin teorik, dhe i tregova se gjithçka që kanë hartat, janë të pasqyruara e mbi bazën e materialit teorik. Ndofta nuk i erdhi mirë që ia thashë këtë detaj, se e pashë që nuk reagoi si duhet, pra, pashë ndryshimin nga gjendja e mëparshme në fizionominë e tij. E shfletoi komplet materialin teorik, por pa e lexuar me kujdes, pra kalimthi, diku lexonte me kujdes, diku e kthente fletën shpejt. Në fund, kërkoi hartat. I vendosa mbi tavolinë atje ku ishte ulur, por ai u ngrit menjëherë në këmbë dhe kërkoi të hapen plotësisht mbi tavolinë. Këto i pa me shumë kujdes dhe diku bënte ndonjë pyetje. Në fund, më thotë se materialin do e këndojë me shumë kujdes, por hartat nuk mund ti shikojë dot. Më pyeti: “A ka ndonjë formë tjetër për të mi treguar më konkretisht së në terren?”. I përgjigjem: “Shoku Komandant ne kemi një topolastik në Shtabin e Përgjithshëm, apo maket relievi që ka gjithë të dhënat e Shqipërisë Etnike, atje mund ta shikoni shumë mirë, sikur të jeni në terrenin konkret ku do të zhvillohen veprimet luftarake!”. Duke ma aprovuar këtë ide, ndërhyri duke kërkuar një mundësi për të ardhur në Ministrinë e Mbrojtjes, një objekt, pasi ardhja thjeshtë për të parë Planin luftarak në terrenin plastik, mund të krijonte mundësi apo premisa për hamendje të ndryshme, që gjithsesi, nuk do të ishin në funksion të ruajtjes së sekretit.
Për këtë i propozova që ai mund të merrte një takim me kuadrot e Ministrisë së Mbrojtjes, dhe atje pas takimit në zyrat e Shtabit të Përgjithshëm, mund ta shikojmë mjaftë mirë e tepër natyrshëm. Ai këtë mendim, nuk di pse, nuk e përkrahu, por kërkoi që unë të shikoja sallën e Byrosë Politike dhe mundësinë e vendosjes atje. Kështu u bë, e pamë sallën dhe ajo ishte e bollshme. Atëherë urdhëroi Haxhi Kroin ta boshatisë zyrën e të më dorëzojë mua çelësat për të punuar. Sigurisht, nuk kishte sesi të mësohej nga të tjerët, qoftë dhe njerëzit më pranë Enver Hoxhës, se përse më duheshin konkretisht mua çelësat e sallës së Byrosë Politike, pasi unë isha Shef i Shtabit të Përgjithshëm dhe kisha probleme pune me Komandantin e Përgjithshëm. Për ta vendosur maketin dhe të hidhja gjithë situatën në maket nga harta, i kërkova 10 ditë kohë, për të cilën ai ishte dakord. Nuk i thashë asgjë për vështirësitë që kërkoheshin në montimin e këtij maketi, sepse ai kërkonte specialistë topografë dhe kështu, mundësia e dekonspirimit ishte evidente.
<BR>Para se të largohesha, Enveri më thotë: “Veli, mi sistemo të gjitha materialet dhe ma mbyll këtë kasafortë!”. Kështu bëra. Më pas, ai thirri Haxhi Kroin dhe i tha që kasafortën e vogël ku ishin dokumentat t’a fuste në kasafortën e tij (Enverit), që e kishte në fund të zyrës ose në të hyrë të derës. Haxhiu futi materialet dhe i dorëzoi çelësat e kasafortës Enverit. Ai më tha të marr çelësat e kasafortës që mbylla unë. Kështu bëra. I mori çelësat e kasafortës së tij, e ashtu si ato nikoqiret e mira, i vari në rripin e pantallonave. Ishte për ta patur zili, një veprim i tillë. Enveri, para se unë të largohesha prej tij, më kërkoi dokumentin që tregonte se a i mora në dorëzim materialet luftarake për t’i firmosur?! U ndodha ngushtë dhe i thashë: “Nuk kam marrë asnjë lloj dokumenti, që tua jap juve ta firmosni!”. Me takt, por prerë, Enveri këtu ndërhyri, më tërhoqi vëmendjen se rregulli është rregull dhe sekreti është sekret, kjo nuk ka asnjë përjashtim. “Prandaj mos e bëni më këtë gabim!!”,- shtoi në fund të bisedës.

Tani nisnin vështirësitë e tjera për mua, së pari ato teknike për çvendosjen e montimin e maketit plastik në sallën e Komitetit Qendror, e së dyti, personat që do të ingranoheshin në këtë punë, pasi për një gjë të tillë duheshin specialistë.
Njoftoj Mehmet Shehun për këtë vështirësi, dhe ai ra dakord që Drejtori i Institutit të Topografisë, Përparim Likaj dhe Shefin e Degës së Topografisë pranë Shtabit të Përgjithshëm, Limoz Alimuçaj, duke ju thënë se: “Komandanti kërkon dhe një herë të shikojë Planin Operativo-Strategjik të Mbrojtjes së vendit, në një nga mjediset e Komitetit Qendror”. Po kush mund ta besonte, sidomos Përparimi që kishte blerë dhe hartat jashtë shtetit. Gjithsesi, ata ushtarakë të talentuar, ndonëse jam i sigurtë se diçka, në mos më shumë, kishin kuptuar, asnjëherë nuk hapën gojë, as edhe shumë më vonë.
Pas vendosjes së maketit dhe hedhjes së situatës, njoftova Komandantin se jemi gati për ta demonstruar gjithë materialin ne maket. Pas dy ditësh më thirri, dhe e pamë gjithë materialin e operacionit një e për një, gati më shumë se 2 orë. Ishte tepër kurioz të dinte dhe saktësira e hollësira, përveç atyre që kishte lexuar në materialin teorik. Mbasi mbaruam, më porositi që kam biseduar dhe me Mehmetin, e këtë materal duhet ta lexojnë Adil Çarçani, Ramiz Alia dhe Kadri Hazbiu në zyrat e Shtabit të Përgjithshëm, kundrejt firmës.
Lajmërimin, më tha më tej Enveri, do ta bëjë Mehmeti.
Kështu u bë dhe këta persona e kanë lexuar materialin teorik dhe mbas materialit, kanë firmat përkatëse.
E vërteta për ekzistencën dhe arkivimin e planit të ndërhyrjes ushtarake për çlirimin e Kosovës, si dhe të pavërtetat e spekulimet e ndonjë ish-ushtaraku periferik në strukturat ushtarake të kohës, janë shënimet e radhës që ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë dhe zëvendësministër i parë i Mbrojtjes në vitet 1974-1982, Veli Llakaj, jep sot për lexuesin.
E vërteta dhe spekulimet rreth planit të ndërhyrjes në Kosovë


Ruajtja e sekretit, “leksion“ i Llakajt për spekulantët
Konspirativ dhe fanatik për të mos bërë publik në detaje shkaqet që çuan në arkivimin përkohësisht të planit “Shpërthimi”, ndonëse në median vendëse dhe atë të huaj është folur e shkruar edhe për këtë fakt, në këtë numër të gazetës Veli Llakaj, ish-bashkëpunëtori më i afërt ushtarak për 8 vjet i “poliagjentit” Mehmet Shehu, dhe një nga dy hartuesit e këtij plani, jep vetëm sasinë e forcave të planëzuara për realizimin e ndërhyrjes. Sipas tij, rreth 65% të forcave do të futeshin në operacion direkt në territorin e Kosovës, ndërsa 30% në krah, përkatësisht nga Maqedonia dhe Mali i Zi. Plani parashikonte gjithashtu të niste me një numër 30 mijë forcash, por që në vazhdim të zgjidhjes së detyrës luftarake, me anë të mobilizimeve, do të shkonte në 150 mijë. Por si një nga hartuesit e këtij plani luftarak, ashtu si dhe kolegu tjetër, Maliq Sadushi, ish-zëvendësministër i Mbrojtjes në të njëjtën kohë, autori Llakaj në këto shënime të radhës nuk rri pa u ndalur në disa spekulime të disa autorëve (ndonjëri dhe ushtarak) që pas vitit 1990, duke dashur të nxijnë udhëheqjen e kohës, figurën e Enver Hoxhës, ”armiqësinë e tyre për Kosovën” e vlerësojnë të paqenë edhe trillim ekzistencën e një plani të ndërhyrjes ushtarake për çlirimin e Kosovës. Si ish-ushtarak madhor e fanatik për ruajtjen e sekretit, autori i komunikon opinionit atë që konfirmohet nga njerëz konkretë, protagonistë të kohës, (ndër kryesorët edhe ai), por që ka ekzistuar deri vonë në arkivat sekrete të Ministrisë së Mbrojtjes, por edhe faktin e ekzistencës deri vonë të këtij materiali në kasafortat e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. E kjo, sipas tij, bëhet për hir të vërtetës.


Ramiz Alia: Enveri, protagonist i historisë


MEMOARE - RAMIZ ALIA

Pas një heshtjee relativisht të gjatë Ramiz Alia rikthehet publikisht në mbrojtje të figurës së Enver Hoxhës dhe Luftës Nacional-Çlirimtare. I thur lavdërime me rastin e 20-vjetorit të vdekjes dhe shpreh indinjatën e tij për refuzimin e dhënies së dëshmisë së veteranit të luftës ish-komandantit të përgjithshëm. Mohon gjithashtu që ish-udhëheqësi komunist të ketë humbur kthjelltësinë mendore në fund të jetës së tij

“E kam takuar dhe kam biseduar
me Enverin edhe një ditë para vdekjes”

“Është shkruar se Enveri vitet, sidomos muajt e fundit të jetës së tij, nuk ishte i kthjellët nga pikëpamja mendore. Kjo nuk është e vërtetë. E.Hoxha vuante nga diabeti qysh nga viti 1948, ndërsa nga shqetësimet kardiake që nga viti 1972, kur pësoi një infarkt. Që nga ajo kohë gjendja e tij ka ardhur duke u rënduar, por asnjëherë nuk iu shmang punës. Në fakt, nuk ka asnjë mbledhje të KQ të Partisë në të cilën të mos ketë marrë pjesë. Bile edhe mbledhjet e Byrosë Politike ose të Sekretariatit të KQ që janë bërë në mungesë të tij numërohen me gishta. Unë e kam takuar dhe kam biseduar me të edhe një ditë përpara se të vdiste.”

“Nuk mund të bëhet leckë lufta
se dikujt nuk i pëlqen Enver Hoxha”

“Veçse duhet thënë fort se një epokë e tërë historike dhe protagonisti i saj kryesor, Enver Hoxha, nuk mund të shuhen e të hidhen poshtë me gjykime të njëanshme dhe të nxitura nga motive personale. Një periudhë e tillë e historisë sonë, lufta që solli çlirimin e atdheut nga pushtuesit e huaj dhe përpjekjet e tërë popullit shqiptar për të ndërtuar e mbrojtur lirinë e pavarësinë e vendit nuk mund të bëhen leckë, sepse dikujt nuk i pëlqen Enver Hoxha. Një qëndrim i tillë nuk bën gjë tjetër veçse hedh baltë mbi historinë e gjithë kombit tonë.”

“Refuzimi i dëshmisë së veteranit,
absurditet i mentaliteteve antihistorike”

“Mentalitetet antihistorike e subjektive të çojnë deri në absurditete. I tillë ishte qëndrimi, kohët e fundit, i Ministrisë së Mbrojtjes lidhur me dhënien E.Hoxhës të dokumentit të Veteranit të Luftës NÇL. Eshtë e pakonceptueshme, por, mbi të gjitha, përbën një ofendim të madh ndaj të gjithë atyre që gjatë uftës u radhitën në repartet e ndryshme partizane dhe luftuan për çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj, që komandantit të tyre të përgjithshëm t’i refuzohet dëshmia e Veteranit të Luftës NÇL.”

Njëzet vjet më parë vdiq Enver Hoxha, nën udhëheqjen e të cilit Shqipëria u çlirua nga pushtuesit e huaj, fashistët italo-gjermanë, dhe më pas, për afro katër dekada drejtoi përpjekjet vigane të popullit tonë për të ndërtuar një shoqëri të përparuar dhe të begatë, të karakterizuar nga barazia dhe drejtësia shoqërore, mbështetur në idealet e socializmit.
Ndaj figurës së E.Hoxhës dhe veprës së tij sot ka qëndrime të ndryshme. Ka disa që as duan të dëgjojnë për E.Hoxhën, që veprimtarinë e tij si udhëheqës i luftës dhe i ndërtimit socialist e “pikturojnë” me ngjyrat më të zeza që mund të imagjinohen. Nuk kam ndërmend të polemizoj, as me ata që vijnë nga radhët e Ballit apo të Legalitetit që, si bashkëpuntorë të pushtuesit, u mundën gjatë kohës së luftës, apo me antikomunistë që në ditët e sotme janë të “modës”, as me ata që gjatë regjimit të kaluar janë persekutuar dhe burgosur, me të drejtë ose pa të drejtë. Secili ka motivet e veta personale, të cilat po i shprehin sa nëpër gazeta, aq edhe në emisione të ndryshme televizive.
Veçse duhet thënë fort se një epokë e tërë historike dhe protagonisti i saj kryesor Enver Hoxha, nuk mund të shuhen e të hidhen poshtë me gjykime të njëanshme dhe të nxitura nga motive personale. Një periudhë e tillë e historisë sonë, lufta që solli çlirimin e atdheut nga pushtuesit e huaj dhe përpjekjet e tërë popullit shqiptar për të ndërtuar e mbrojtur lirinë e pavarësinë e vendit nuk mund të bëhen leckë, sepse dikujt nuk i pëlqen Enver Hoxha. Një qëndrim i tillë nuk bën gjë tjetër veçse hedh baltë mbi historinë e gjithë kombit tonë.
Mentalitetet antihistorike e subjektive të çojnë deri në absurditete. I tillë ishte qëndrimi, kohët e fundit, i Ministrisë së Mbrojtjes lidhur me dhënien E.Hoxhës të dokumentit të Veteranit të Luftës NÇL. Eshtë e pakonceptueshme, por, mbi të gjitha, përbën një ofendim të madh ndaj të gjithë atyre që gjatë Luftës NÇL u radhitën në repartet e ndryshme partizane dhe luftuan për çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj, që komandantit të tyre të përgjithshëm t’i refuzohet dëshmia e Veteranit të Luftës.
Për Enver Hoxhën kam shkruar në librat që kam botuar, si edhe në shtypin e përditshëm. Besoj se Redaksia e gazetës “Shekulli” do ta plotësojë këtë shkrim, duke riprodhuar pjesë nga libri im “Duke biseduar për Shqipërinë ”, që është botuar si intervistë në vitin 2001.

Pyetje: Padyshim, personi që dominoi gjatë historisë së re të Shqipërisë ishte Enver Hoxha, udhëheqës i padiskutueshëm, i adhuruar deri në kult. Ju e keni njohur nga afër, bashkëpunuat me të dhe duket se gëzonit besimin e tij. Cili është sot mendimi juaj për Enver Hoxhën?

Përgjigje: Për pesë dekada E.Hoxha ka qenë udhëheqësi kryesor i Shqipërisë, i dashur dhe i respektuar nga masat e gjera të popullit. Ndokush thotë se ky qëndrim ishte i imponuar, se njerëzit "bënin" sikur e donin, kurse në realitet e kishin frikë, trembeshin prej tij. Kjo nuk është e vërtetë. Njerëzit e njohën Enver Hoxhën në kohët më të vështira, gjatë luftës për çlirimin e atdheut nga pushtuesit e huaj. Ata e njohën jo nëpërmjet shkrimeve, por e panë me sy në malet e Shqipërisë në krye të partizanëve, i hapën dyert e shtëpisë dhe i dhanë të hajë nga buka e tyre.
E.Hoxha ishte organizatori dhe udhëheqësi i Luftës NÇL, që u kurorëzua me çlirimin e vendit nga nazi-fashizmi. Ai hodhi themelet e shtetit të ri shqiptar dhe e udhëhoqi popullin në betejat e mëdha për ta nxjerrë vendin nga prapambetja shekullore e për të ndërtuar një të ardhme më të mirë. …
… E.Hoxha ishte i pajisur me një kulturë të gjerë. Ai i përkiste brezit që lidhte periudhën e Rilindjes sonë Kombëtare me kohët moderne. E.Hoxha lexonte shumë dhe tepër shpejt. Natyrisht, vendin kryesor e zinin librat historikë e politikë, kujtimet e njerëzve të shquar në botë, libra për sociologjinë e të tjerë. Ai kishte një kujtesë të jashtëzakonshme; mbante mend çdo gjë që ndeshte me interes në një libër, ashtu siç kujtonte njerëz dhe emra të atyre që kishte lexuar ose kishte takuar. Shpesh në bisedat që bënte, qoftë edhe për jetën partizane, mbante mend emrat e fshatarëve ku kishte ngrënë, të kuadrove që kishte takuar. Vetëm me datat e shifrat nuk e kishte mirë, i ngatërronte, duket se për ato nuk e lodhte mendjen. …
… Aktualisht kundërshtarët e tij, kur flasin për E.Hoxhën, e cilësojnë diktator, hakmarrës, që nuk ndalej përpara asgjëje, nëse rrezikohej pushteti i tij. Ata për t'u dhënë "vërtetësi" këtyre akuzave përmendin veçanërisht mungesat në fushën e demokracisë apo ekstremizmat që kanë ndodhur në zbatimin e luftës së klasave, qëndrimet e ashpra që janë mbajtur si ndaj kundërshtarëve të regjimit, ashtu edhe ndaj atyre udhëheqësve që në një mënyrë ose tjetër nuk kanë miratuar vijën e E.Hoxhës.
Eshtë e qartë se gjatë periudhës pesëdhjetëvjeçare të Shqipërisë së re janë bërë edhe gabime të ndryshme, si në fushën politike, ashtu edhe në atë ekonomike. E.Hoxha si udhëheqës kryesor i partisë dhe i shtetit, natyrisht për këto gabime mban edhe përgjegjësinë kryesore. Po kështu edhe përsa i përket dënimit ekstrem që u është dhënë disa kuadrove të larta të partisë, ose edhe për “mbylljen” e qëndrimet e ngurta në marrëdhëniet me botën e jashtme, ka ndikuar edhe vetë E.Hoxha, me "dyshimet" e tij dhe bindjen se Shqipërisë rreziqet i vijnë nga të huajt dhe komplotet e organizuara prej tyre.
… Është shkruar se Enveri vitet, sidomos muajt e fundit të jetës së tij, nuk ishte i kthjellët nga pikëpamja mendore. Kjo nuk është e vërtetë. E.Hoxha vuante nga diabeti qysh nga viti 1948, ndërsa nga shqetësimet kardiake që nga viti 1972, kur pësoi një infarkt. Që nga ajo kohë gjendja e tij ka ardhur duke u rënduar, por asnjëherë nuk iu shmang punës. Në fakt, nuk ka asnjë mbledhje të KQ të Partisë në të cilën të mos ketë marrë pjesë. Bile edhe mbledhjet e Byrosë Politike ose të Sekretariatit të KQ-së që janë bërë në mungesë të tij numërohen me gishta. Unë e kam takuar dhe kam biseduar me të edhe një ditë përpara se të vdiste.
E.Hoxha u shqua si burrë shteti e diplomat me urtësi të rrallë. Ai në bazën e politikës së jashtme të Shqipërisë së re vuri parimin e ruajtjes së sovranitetit të plotë kombëtar. Ai ngulte këmbë që Shqipëria të kishte zërin e vet në botë, që ajo t'u dilte drejtëpërdrejt zot interesave të saj, pa "kujdestarë", pa të tretë. Ai qysh në fillim ka udhëhequr luftën diplomatike për t'i siguruar shtetit të ri shqiptar një status të barabartë me shtetet e kombet që morën pjesë në koalicionin antifashist botëror.
E.Hoxha ishte kurdoherë i mirinformuar për çdo gjë që lidhej me politikën e jashtme. Ai lexonte mjaft libra që kishin të bënin me historinë e marrëdhënieve dhe me të drejtën ndërkombëtare, si dhe me zhvillimin e ngjarjeve në rajonet dhe "vatrat e nxehta" në botë. .. Padyshim, vëmendjen kryesore të tij e tërhiqnin zhvillimet që lidheshin më shumë me vendin tonë, si ngjarjet në Ballkan, në pellgun e Mesdheut dhe në Lindjen e Mesme. Për këto ai reflektonte, diskutonte vazhdimisht, nxirrte konkluzione dhe shkruante.

Pyetje: Interesimi i tij për ngjarjet ndërkombëtare duket nga pozicioni që ai merrte shpesh lidhur me temat e politikës së jashtme.

Përgjigje: E.Hoxha kishte një intuitë të veçantë. Ai ishte një takticien i përsosur. Karakteristikë e tij dalluese ishte aftësia për të reaguar me vendosmëri dhe në kohën e duhur ndaj ngjarjeve të veçanta. Ditën kur ushtria sovjetike ndërhyri me forcën e armëve në Çekosllovaki, në gusht të vitit 1968, Enveri, pa as më të voglin hezitim, e cilësoi këtë akt si një agresion të tipit fashist, si një veprim të rrezikshëm që mund të kërcënonte edhe lirinë e pavarësinë e Shqipërisë...
-Tani, -tha ai, -është koha që vendi ynë edhe de jure të largohet nga ky traktat ushtarak, që tashmë është shndërruar në traktat agresiv, njësoj si NATO-ja. Eshtë e vërtetë që de facto nuk bëjmë pjesë prej kohësh aty, sepse revizionistët na kanë përjashtuar, por aktualisht ne, nga ana jonë, duhet ta denoncojmë botërisht Traktatin e Varshavës dhe të shpallim largimin prej tij për të gjitha efektet.
Fusha tjetër për të cilën E.Hoxha tregonte interes të veçantë ishte ajo e kulturës. Ai diskutonte vazhdimisht dhe ka shkruar shumë për problemet që lidhen me këtë temë. Çdo njeri i paanshëm e ka të lehtë të konstatojë se te mendimi i E.Hoxhës për kulturën shkrihen pasioni i atdhetarit dhe kultura perëndimore me të cilën ishte formuar, me logjikën e rreptë të studiuesit marksist. E.Hoxha nga pikëpamja kulturore kishte orientim perëndimor, të fituar jo vetëm sepse studimet i kishte kryer në Francë, por sepse ndiqte përditë zhvillimet në fushën e kulturës, të letersisë e të artit në Perëndim. …
…E.Hoxha ishte partizan i pasionuar i trashëgimisë kulturore të së kaluarës sonë dhe të asaj botërore. Ai ishte armik i kozmopolitizmit, por edhe i ksenofobisë. Ruaj në shënimet e mia një bisedë, në të cilën ai thekson:
-Letërsia botërore është një thesar që është krijuar gjatë rrjedhës së epokave historike. Prandaj një pjesë e saj nuk u përshtatet kërkesave të sotme. Por, në kohën e vet, çdo vepër ka ndikuar në zhvillimin e shoqërisë. ... Prandaj e kaluara nuk duhet marrë "kallëp" e të hidhet poshtë me lehtësi, duke thënë se "e tërë kjo nuk vlen". Jo, çdo vepër duhet analizuar me kujdes duke pasur parasysh kohën kur është krijuar.
Kur sjell ndërmend që megjithë këtë në praktikën tonë artistike e letrare ka pasur "ngurtësi", ose "kufizime" apo "autocensurë", nuk mund të mos konkludoj se ato qëndrime në një pjesë të madhe kanë lidhje me paaftësinë e disa drejtuesve të partisë dhe të pushtetit, si dhe me oportunizmin e disa krijuesve, të cilët për të qenë "brenda", tregoheshin gjoja parimorë dhe impononin qëndrime sektare. Por nuk mund të mos vë në dukje se edhe E.Hoxha për këto shfaqje ka përgjegjësinë e vet. Nën presionin e situatave të krijuara ka ndodhur që E.Hoxha, në disa raste, ka qenë kontradiktor duke iu shmangur bindjeve të tij të brendshme.
Mendimi im është se E.Hoxha qëndron në radhën e personaliteteve më të shquara që ka nxjerrë nga gjiri i vet populli ynë. Pavarësisht se sot sundojnë pasionet dhe logjika e hakmarrjes antikomuniste, historia do t'i japë E.Hoxhës vendin që i përket. Ashtu siç nuk mund të mohohet Lufta NÇL e popullit tonë kundër fashizmit, nuk mund të errësohet e të shuhet emri dhe roli historik i E.Hoxhës në krijimin e përparimin e Shqipërisë së re.

Ish-presidenti i fundit komunist rrëfen si u largua nga skena politike në vitin 1992. Përse ndodhi rënia e komunizmit në Shqipëri, sipas Ramiz Alisë, që pohon se ndërrimi i sistemeve mund të kishte qenë më gradual, ndërsa tranzicioni i pangarkuar me duf antikomunist, kur ende sot, sipas tij, ndërmjet dy partive politike kryesore shqiptare ka urrejtje “klasore”.


Ramiz Alia: Pse ika nga skena politike më 1992

Mentor Nazarko

Në pjesën e fundit të intervistës së Ramiz Alisë dhënë revistës “ABC”, ribotuar e plotë në gazetën “Shekulli”, ish-presidenti komunist rrëfen rënien e komunizmit në Shqipëri, që sipas tij, ndodhi kryesisht për arsye të jashtme, por edhe si pasojë e vështirësive ekonomike në të cilat ishte mbërthyer Shqipëria. Alia mendon se ndërrimi i sistemeve mund të kishte qenë më i lehtë dhe gradual, se mund të ishin evituar shkatërrimet si dhe dufi antikomunist që sipas tij shoqëron tranzicionin. Madje ish-presidenti komunist shprehet se edhe midis dy partive kryesore shqiptare ndihet ende sot urrejtja “klasore”. Më tej në këtë pjesë të fundit të intervistës së tij të gjatë Alia rrëfen, për herë të parë, çështjen e kredisë prej një milion dollarësh që është folur se Gjermania i ka ofruar Shqipërisë, ndërsa PPSH-ja nuk e ka pranuar. Alia komenton edhe marrëdhëniet e vështira të shtetit komunist me SHBA-në dhe Anglinë deri te marrëdhëniet aktuale me shtetin fqinj, Greqinë. Në fund ai rrëfen se pse u largua nga skena politika shqiptare në vitin 1992.

Vijon nga java e kaluar

Na thoni diçka për rënien e komunizmit në Shqipëri. A kishte mundësi të evitohej dhe, nëse po, si? Ç’rol kishte në këtë rënie konceptimi rixhid i sistemit ekonomik të tij?

Ramiz Alia: Rënia e komunizmit nuk ishte një fenomen vetëm shqiptar. Ky fenomen ishte rezultat i “Luftës së Ftohtë”, i përpjekjeve që bota perëndimore antikomuniste bëri gjatë dhjetëra vjetëve kundër Bashkimit Sovjetik fillimisht dhe vendeve të Lindjes evropiane më vonë, me qëllim përmbysjen e sistemit që u vendos në këtë pjesë të botës. Pas Luftës së Dytë Botërore, në kuadrin e “Luftës së Ftohtë” Perëndimi e tërhoqi Bashkimin Sovjetik në garën e ethshme të armatimit. Kjo bëri që në këtë drejtim të përqendrohen burime të mëdha financiare, duke lënë prapa, si rindërtimin e vendit të shkatërruar nga lufta, ashtu edhe nivelin e jetesës së qytetarëve sovjetikë.
Në librin e vet “E ardhmja është te liria” E. Shevarnadze, që ka qenë një nga njerëzit më të afërt të Gorbaçovit, ministër i Jashtëm i tij, ka shkruar: “Arritëm të bëhemi një superfuqi, falë, mbi të gjitha, potencialit luftarak. Por pikërisht ky zhvillim i tepruar i këtij potenciali, si dhe ekspansioni i tij i pakontrolluar e kanë katandisur vendin si të ishte një fuqi e rangut të tretë dhe kanë gjeneruar procese që e kanë shtyrë atë në buzë të katastrofës.... Siguruam vendin e parë në tregun botëror të armatimeve ... por u gjendëm në vendin e 60-të në botë përsa i përket nivelit të jetesës së popullsisë, në të 32-tin për jetëgjatësinë dhe në të 50-tin për mortalitetin infantil”. Natyrisht diversioni perëndimor përfitoi edhe nga këto dobësi të zhvillimit të brendshëm të Bashkimit Sovjetik.
Përsa i përket Shqipërisë, rënia e komunizmit erdhi si pasojë e përmbysjes që ndodhi kudo në Lindje pas rënies së Murit të Berlinit. Pra primar ishte faktori i jashtëm, ndikimi i ngjarjeve në Lindje, si dhe presioni direkt (politik dhe ekonomik) që bëhej ndaj “dominosë së fundit” në shumë rrugë e mënyra. Por padyshim, përmbysja erdhi edhe si pasojë e gjendjes së vështirë që kalonte vendi, e vështirësive ekonomike në të cilat ishte mbërthyer Shqipëria. Ju pyesni a kishte mundësi të evitohej përmbysja që ndodhi? Kur rendi socialist ra në të gjithë Evropën Lindore, ishte e vështirë, për të mos thënë e pamundur, që të mbahej më këmbë ky rend shoqëror në një vend të vogël si Shqipëria. Por mendimi im ka qenë dhe është se mund të kalohej më lehtë nga njëri sistem te tjetri, se, duke ndjekur kalimin gradual, mund të evitoheshin ato shkatërrime që shoqëruan të famshmet “terapi shock” apo fillimi nga “niveli zero”, se mund të evitohej ai duf antikomunist që shoqëroi dhe shoqëron tranzicionin, ajo urrejtje “klasore” që shfaqet edhe sot midis dy partive kryesore të skenës politike shqiptare.

Ju keni qenë artefic i lëvizjeve për hapjen drejt SHBA-së dhe vendeve të tjera. Ndërsa me Gjermaninë dështuat, ekziston një hipotezë. A ka diçka të pathënë në këto përpjekje? A u bëtë ju i papranueshëm për Perëndimin për vazhdimin e tranzicionit shqiptar?

Ramiz Alia: Jo vetëm për mua, por edhe për shokë të tjerë të udhëheqjes ishte e qartë se u duhej hapur rruga marrëdhënieve me botën e jashtme, duke përfshirë edhe vende të tilla si SHBA-ja, Anglia, RFGJ-ja e BS-ja, me të cilët vendi ynë nuk kishte marrëdhënie diplomatike. E vërteta është se për marrëdhëniet me Republikën Federale Gjermane si dhe me SHBA-në e Britaninë e Madhe bisedimet kishin filluar duke pasur edhe mendimin pozitiv të Enver Hoxhës. Dihet se kancelari i Bavarisë, Shtraus, ka ardhur në Shqipëri në verën e vitit 1984, pra kur Enver Hoxha ishte ende gjallë. Ai autorizoi që Shtrausi të pritet nga zyrtarët e Ministrisë së Jashtme, si dhe dha udhëzimet lidhur me kërkesat tona për reparacionet, si parakusht për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.
Edhe për bisedimet me Anglinë e SHBA-në ka qenë dakord Enver Hoxha. Në vitin 1984 si anglezët, ashtu edhe amerikanët, me anën e Ambasadës Franceze në Tiranë kërkuan që të zgjidhej çështja e floririt shqiptar, të mbajtur në bankat britanike qysh nga mbarimi i Luftës Dytë Botërore. Enveri edhe për këtë gjë ishte dakord dhe dha porositë e nevojshme. Në shtypin tonë ka pasur mjaft spekulime lidhur me marrëdhëniet me RFGJ-në. Janë hedhur dyshime, duke e paraqitur çështjen sikur RFGJ-ja i propozuan Shqipërisë një miliard dollarë kredi, kurse PPSH-ja nuk i paska pranuar për t’i qëndruar besnike parimit që nuk marrim kredi nga vendet kapitaliste!
Më vjen keq se, ndonjëherë, turbullirë për këtë çështje ka shkaktuar edhe ndonjë diplomat që gjoja në ato kohë paska marrë vesh nga x person gjerman ose i një kombësie tjetër se Shqipëria e paska refuzuar kredinë gjermane. Jo, kategorikisht, jo! Gjermanët asnjëherë nuk kanë propozuar ndonjë kredi të atyre dimensioneve. Pala jonë iu ka kërkuar gjermanëve reparacionet e Luftës (po, miliona, bile një miliard dollarë). Por gjermanët na janë përgjigjur zyrtarisht se të tilla nuk jepnin dot, sepse ua kishte ndaluar Konferenca e Londrës e vitit 1953 midis SHBA-së, Anglisë dhe Francës, që ishin tutorë të Gjermanisë Perëndimore në atë kohë.
Më në fund, për t’i mbyllur bisedimet dhe për të treguar se më vonë mund të rriteshin marrëdhëniet tona, gjermanët vendosën t’i jepnin Shqipërisë 20 milionë dojçmarka kredi me 1 deri 10 % interes dhe me një afat shlyrjeje 40-vjeçar, njëkohësisht 20 milionë dojçmarka falas për teknikë e teknologji gjermane. Dhe qeveria shqiptare, pavarësisht se Kushtetuta e ndalonte, e pranoi këtë kredi. Në atë kohë ne nuk ishim aq “fanatikë” të nenit të Kushtetutës që ndalonte marrjen e kredive! Po të ishte kredia prej 1 miliard markash, do ta kishim pranuar edhe më me entuziazëm. “Gjynahu” njësoj bëhet, si duke pranuar 20 milionë, apo duke pranuar 1 miliard! Ja, kjo është e vërteta.
Për ta mbyllur përgjigjen e kësaj pyetjeje, ju kujtoj se marrëdhëniet diplomatike u vendosën me RFGJ qysh në vitin 1987. Një ditë pas shpalljes së vendosjes së këtyre marrëdhënieve, unë prita dhe zhvillova bisedime miqësore me zotin Gensher. Ndërsa marrëdhëniet me SHBA-në dhe Britaninë e Madhe u vendosën në vitin 1990, megjithëse bisedimet për zgjidhjen e çështjes së floririt shqiptar, që ishte parakusht i lidhjeve diplomatike, kishin filluar qysh në vitin 1985. Përsa i përket çështjes, nëse unë u bëra i papranueshme për Perëndimin lidhur me tranzicionin shqiptar, nuk më rezulton një gjë e tillë. Unë dhashë dorëheqjen nga posti i presidentit të Republikës në prill 1992, jo pse kisha ndonjë presion nga jashtë, por sepse e quajta të arsyeshme të mos qëndroja në atë post, pasi zgjedhjet e marsit 1992 u fituan thellë nga PD-ja dhe, për pasojë, ajo do të kishte si shumicën absolute në Parlament, ashtu edhe qeverinë. Në klimën e asaj kohe kishte rrezik që presidentit t’i rezervohej roli i “kukullës”. Prandaj dhashë dorëheqjen.

A keni ndonjë sugjerim për marrëdhëniet me Greqinë? Ndonjë gjë që vjen nga ajo kohë?…

Ramiz Alia: Kam menduar edhe më parë, po kështu mendoj edhe sot, se marrëdhëniet e vendit tonë me Greqinë, por edhe me fqinjët tjerë, duhet të jenë sa më të mira. Njeriu nuk bën dot pa fqinjët. Ky është ligj i njohur. Përveç faktorëve të mëparshëm, për marrëdhëniet e vendit tonë me Greqinë, është shtuar edhe një faktor shumë i rëndësishëm, sa për Shqipërinë, aq edhe për Greqinë. E kam fjalën për emigrantët, që thuhet se janë rreth 800 mijë veta. Me punën e djersën e tyre këta emigrantë i sjellin vendit tonë të ardhura të mëdha, që ndihmojnë në rritjen e nivelit ekonomik të Shqipërisë. Por në të njëjtën kohë ata ndihmojnë zhvillimin edhe të ekonomisë greke, sepse janë të përfshirë në të gjithë sistemin ekonomik të vendit fqinj.
Nga ana politike emigrantët shërbejnë si ndërlidhës midis dy popujve tanë, ashtu siç shërbejnë për këtë qëllim edhe minoritarët grekë që jetojnë në Shqipëri. Midis Shqipërisë e Greqisë nuk ka probleme të pazgjidhura që do të pengonin zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona. Minoriteti grek në Shqipëri jeton i lirë, me të drejta të plota si çdo qytetar shqiptar. Qëndrimi i organeve shtetërore është korrekt ndaj minoritarëve dhe respekton normat ndërkombëtare për minoritetet. Në shtypin tonë nga koha në kohë flitet për të drejta të çamëve në Greqi. Eshtë fjala për pasuritë që ata kanë matanë kufirit shtetëror.
Më duket se në kuadrin e marrëdhënieve miqësore, me durim e mirëkuptim, çdo gjë mund të zgjidhet. E drejta e pronësisë është e njohur edhe nga normat e organizmave ndërkombëtare. Por zbatimi i këtyre normave kërkon përpjekje nga të dy palët, kërkon durim dhe jo nervozizëm, që fatkeqësisht vihet re ndonjëherë, duke e shndërruar këtë gjë në një problem politik që helmon marrëdhëniet midis dy vendeve. Mendimi im është që organet shtetërore të vendit tonë, si këtu në qendër, por edhe në ambasadën tonë në Athinë, kanë detyrime të shumta ndaj shqiptarëve-emigrantë që gjenden në Greqi. Eshtë e pakuptueshme që rreth 800 mijë shqiptarë nuk kanë shoqata të organizuara, të njohura si nga ambasada jonë, ashtu edhe nga autoritetet greke, lokale dhe qendrore. Emigrantët kanë shumë probleme, ndonjë herë edhe konfliktuale me autoritete e me vendas. Kush i mbron interesat e tyre? Kush ndihmon që ata të ndreqen kur gabojnë, kur shkelin normat e sjelljes apo rregullat e vendit ku punojnë e jetojnë? Çfarë bëhet me fëmijët e emigrantëve? Me shkollimin e tyre, me mësimin e gjuhës amtare? Greqia është mjaft e përhapur, për pasojë edhe emigrantët gjenden në çdo anë të saj, në të gjithë ishujt. Ekzistenca e shoqatave të emigrantëve do të ishte një ndihmë e madhe që ata ta ndjejnë veten sa më afër atdheut e familjeve të tyre.

Ju mbeteni një figurë e keqkuptuar në përpjekjet tuaja politike. Nuk ju duan demokratët, por dhe një pjesë e komunistëve. Cili është mezazhi juaj i jetës që mund t’u jepte përgjigje këtyre keqkuptimeve apo...?

Ramiz Alia: Unë nuk pretendoj që çdo politikan, i cilitdo korrent të jetë dakord me mua, ose të miratojë qëndrimet e veprimet e mia. Në të gjithë veprimtarinë time kam ndjekur atë që më ka thënë ndërgjegja ime. Pikërisht me këtë bindje kam marrë pjesë në Luftën Antifashiste për çlirimin e vendit, kam milituar në radhët e PPSH-së dhe me këtë bindje kam punuar me të gjitha fuqitë e mia për ruajtjen e lirisë e të pavarësisë së vendit, ashtu siç i jam përkushtuar ndërtimit të Shqipërisë së re, të një shoqërie të drejtësisë e të barazisë shoqërore, siç e dëshironim ne, mbështetur në teorinë marksiste. Kur, si pasojë e përmbysjes që ndodhi në tërë Lindjen Evropiane, socializmi do t’ia linte vendin demokracisë pluraliste dhe ekonomisë së tregut, me ndërgjegje u përpoqa që ky ndryshim të bëhej pa trauma të mëdha shoqërore e veçanërisht pa gjakderdhje e luftë vëllavrasëse. Jam i lumtur, që në bashkëpunim me të gjithë shokët dhe protagonistët politikë të kohës, ndryshimi u bë i qetë. Padyshim, si çdo njeri, gjatë jetës sime kam bërë edhe gabime. Por asnjëherë për të përfituar ndonjë gjë personalisht, asnjëherë me qëllim që të dëmtoj me ndërgjegje popullin tim apo ndonjë person të veçantë.
Fund

Botuar me lejen e “ABC”


Alia: Ne, komunistët e parë që nuk e njihnim Marksin