Katherine Neville, shkrimtarja amerikane bestseller, librat e së cilës janë shitur në miliona kopje dhe botuar në më shumë se 40 gjuhë të botës, ka vënë në qendër të romanit të saj më të ri, personazhin e Ali Pashë Tepelenës dhe vajzës së tij, Haidee. Neville është vlerësuar si shkrimtarja, e cila me stilin e saj të të shkruarit shtroi rrugën për romane të tipit "Kodi i Da Vinçit".
Në
romanet e saj, lexuesi nuk ndalet kurrë së kërkuari, së
zbuluari, e së përjetuari emocionet e forta të përballjes
me misteret. Ajo thotë se ka shkruar romane kërkimore që në
kohën kur askush nuk kujtohej për ta, në kohën kur në
modë ishte një tjetër lloj letërsie. Kjo formë letrare,
sipas saj, është kategoria më e vjetër e historive që
janë botuar, e duket këto viteve te fundit shkrimtarët po i rikthehen.
Por, le të ndalemi tek romani i saj i fundit, "The fire" dhe
personazhet shqiptare, me të cilët ajo po drejton miliona lexues në
gjithë botën drejt një misteri të madh. Neville, në
roman (ku sipas saj realiteti dhe fiction-i janë krah më krah), shkruan
se Ali Pashë Tepelena zotëronte një gur shahu të rrallë.
Në të vërtetë, "Mbretëresha e zezë",
ishte pjesa më e rëndësishme e një seti shahu që ishte
kthyer në legjendë, e rrethuar nga qindra mistere. Si kishte rënë
ai gur i rrallë shahu në duart e tij dhe pse ai e nis vajzën
e tij, Haidee me një mision të vështirë për ta nxjerrë
jashtë Shqipërisë këtë relike e për ta siguruar
diku tjetër...? Leximi i romanit të saj do të shuante kureshtjen
e çdo lexuesi. Veç, paraprakisht, një sërë pikëpyetjesh
mbi këtë libër dhe rreth kësaj shkrimtareje mund t'i zbulojmë
përmes kësaj interviste, që Katherine Nevillë, jep ekskluzivisht
për "Gazetën shqiptare".
Në librat e tu mbizotëron misteri dhe lexuesit vazhdimisht i duhet
të mbajë frymën derisa të zbulojë atë çka
e mundon që prej faqes së parë. Librat tuaj janë cilësuar
si veprat që kanë shtruar rrugën për libra si "Kodi
i Da Vinçit". Pra, nëse na duhet të pyesim dikë
si është krijuar ky stil të shkruari, dhe si ndërtohet
një vepër që s'të lejon ta lëshosh nga dora, personi
i duhur jeni ju... Mund të na e tregoni këtë sekret?
Jam e lumtur që shumë njerëz më kanë cilësuar
mua si personi që "solli në jetë" apo "krijoi",
këtë lloj stili romanesh, por në fakt librat e mi quhen "romane
zbuluese", dhe kjo është kategoria më e vjetër e
historive që janë botuar. Në kohët antike, ky lloj zbulimi
ishte dëshira për të gjetur diçka që ishte si një
lloj fillimi, për shembull: si Jason që kërkonte Lëkurën
e Dashit të Florinjtë, Parsifal me Graalin e Shenjtë, apo Odysseus
dhe Dorothy i OZ, të dy kërkonin një "shtëpi".
Çdokush që dëshiron të zbuloje diçka, është
në një lloj kërkimi. Megjithëse është forma
më e vjetër e trillimit (fiction-it), për një periudhë
të gjatë kohore, në shekullin e 20-të, ky lloj stili nuk
ishte shumë popullor, ai nuk ishte më i preferuari. Njerëzit
mendonin që letërsia duhet të ishte më shumë intelektuale
dhe të shihte vetveten. Jam vërtet e lumtur që ky mentalitet
ka ndryshuar dhe më vjen mirë nëse librat e mi kanë frymëzuar
autorë të tjerë të shkruajnë këtë lloj
zhanri. I vetmi ndryshim, që unë do të doja të vija në
dukje, është se në librat e mi femrat janë ato që
i zbulojnë dhe i zgjidhin enigmat. Ato kanë aventura dhe sfida.
Libri juaj, "The Fire" na ngacmon për trajtimin e personazheve
që lidhen me Shqipërinë, sidomos me personazhin e Ali Pashë
Tepelenës dhe vajzës së tij, Haidee. Si u njohët me këto
personazhe dhe historinë e tyre?
Unë kam ditur diçka mbi Ali Pashën dhe vajzën e tij,
Haidee që kur isha shumë e re. Ata kanë luajtur një rol
shumë të rëndësishëm në librin "Konti i
Monte Kristos", të autorit Aleksandër Dumas. Dumas e bazoi
historinë e tij në ngjarjet e Ali Pashës dhe së bijës
së tij, duke pasur parasysh poemën e hershme të Bajronit, "Don
Zhuani", ku i riu Don Zhuan është në prag të vdekjes
pasi anija e tij mbytet, por Don Zhuani shpëtohet nga një vajzë
shumë e bukur me emrin Haidee. Sigurisht, çdokush në Europë,
duke përfshirë edhe Dumas dinte mbi takimi e Bajronit me Ali Pashë
Tepelenën, dhe mbi miqësinë e vazhdueshme mes tyre, por edhe
për antagonizmin e madh të Bajronit ndaj turqve. Ky takim dhe poemat
e shkruara më pas nga pena e Bajronit, kanë krijuar një valë
shokuese në të gjithë Europën dhe kanë revolucionarizuar
letërsinë europiane. Madje, edhe poetët e mëdhenj gjermanë
si Gëte, kanë thënë se Bajroni ishte i vetmi pasardhës
i vërtetë i tij. Ishte vizita e Bajronit tek Ali Pasha në Shqipëri,
ajo që krijoi gjithë atë revolucion. Ja cila ishte arsyeja
pse u frymëzua Dumas të shkruante mbi Ali Pashën.
Cili është roli i këtyre personazheve në romanin tuaj?
Në librin tim, "The eight", unë kam shpikur një set
shahu që i përket Charlemagne dhe që është varrosur
para 1000 vitesh. Gjatë revolucionit francez, është gërmuar,
gjetur dhe shpërndarë në të gjithë botën, dhe
duhet një punë e madhe për t'i gjetur të gjitha pjesët
e atij seti shahu e për t'i bashkuar sërish ato. Kur një skuadër
i mbledh shumicën e pjesëve në fund të librit, ata i fshehin
përsëri ato pjesë. Në faqet hapëse të librit
"The fire" (vazhdimi i librit "The eight"), 30 vite pas
fshehjes së pjesëve të setit, më 1822, ne zbulojmë
se Ali Pashë Tepelena ka poseduar pjesën më të fuqishme
të atij seti shahu: Mbretëreshën e zezë. Turqit e kanë
rrethuar Ali Pashën. Ai ka qenë nën rrethim për plot dy
vite. Ndaj, tani ai duhet të nxjerrë jashtë vendit të
tij atë pjesë të setit, për t'ia dërguar një
njeriu që ka para dhe pushtet për ta mbrojtur atë: Bajronit.
Ali Pasha dërgon Haideenë dhe një djalë të ri me
emrin Sufi, për ta çuar në duart e Bajronit këtë
pjesë të rëndësishme të setit të shahut.
Ju keni shpjeguar në një prej promovimeve tuaja arsyen se pse keni
zgjedhur të fusnin në këtë roman pikërisht Shqipërinë
dhe shqiptarët. Sidoqoftë, na interesojnë më shumë
detaj rreth këtij argumenti... Sa dhe si e njihni Shqipërinë?
Duke qenë se libri im flet për këtë set shahu, një
libër ku unë do të fusja edhe personazhe shqiptare, unë
gjithmonë merrja letra nga Shqipëria. Dikush më shkroi njëherë
një letër ku më thoshte se një gur i vjetër shahu
është zbuluar në Butrint, dhe për këtë më
dërgoi mua një shkrim të botuar nga shtypi për atë
zbulim. Kështu, gjithmonë kur dikush më shkruante për
Shqipërinë, unë e pyesja akoma më shumë. Më
në fund munda të takoj Auron Taren, drejtorin e "Albanian National
Trust" dhe ai më ka ndihmuar me të vërtet shumë me
informacionet mbi antikitetin dhe Ali Pashën. Auroni më dërgoi
të gjithë listën e librave që gjenden në Bibliotekën
e Kongresit në Washington DC dhe që kishin të bënin me
Ali Pashën. Aty kam mundur të gjej shumë informacione të
dobishme që tregonin si për Ali Pashën ashtu edhe familjen
e tij. Gjithashtu, ai më mundësoi kontaktin me profesor Irakli Koçollarin,
i cili më përktheu mua librin e tij, "Policia sekrete e Ali
Pashës". I kam falenderuar të dy ata në faqen e mirënjohjeve
tek libri "The fire", por kam edhe shumë blloqe shënimesh
të mbushura me materiale ekstra prej tyre.
Kjo lloj letërsie niset nga diçka reale, nga fakte historike
apo personazhe të njohur, si në këtë rast Lordi Bajron
apo Ali Pashë Tepelena për ta mbërthyer më fort kureshtjen
e lexuesit. A ka diçka reale në këtë histori, sidomos
sa i përket Ali Pashës dhe pjesës shqiptare, apo është
thjesht dhe vetëm fiction?
Megjithëse unë shkruaj romane fiction, gjithnjë përpiqem
të kem detaje të sakta mbi jetën reale të njerëzve
për të cilët shkruaj, por edhe përshkrime të peizazheve
ku ngjarja ndodh dhe personazhet jetojnë. Unë dua që lexuesit
të ndiejnë që po ecin kudo brenda në roman së bashku
me personazhet, dua që lexuesit të mund të ndiejnë njësoj
të gjitha aromat e ushqimeve të gatuara dhe shijet e erëzave.
Gjëja më e rëndësishme për mua, ndërsa shkruaja
romanin "The fire", ishte se mësova mbi lidhjet e Ali Pashës
me Sektin e Bektashinjve. Kisha disa njohuri mbi Shadhilin dhe Mevlevin, meqë
kam jetuar në Algjeri dhe kam kaluar shumë kohë edhe në
Konya. Por, ajo që munda të mësoj mbi lidhje e bektashinjve
me Ali Pashën ishte me të vërtet interesante. Përfshirja
e tij me këta sufis do të më ndihmonte të shpjegoja shumë
gjëra mbi rolin e tij si ndërlidhës mes Linjës Islamike
dhe Europës kristiane.
Botuesve në të gjithë botën ju interesojnë shitjet.
Nga ana tjetër, mediat e masin suksesin e një autori pikërisht
nga shitjet dhe nga shtrirja e botimit, pra në sa gjuhë të
botës botohet një libër. Po një shkrimtareje si ju, çfarë
i intereson në këtë rast?
Kjo është një pyetje interesante. Librat e mi janë shitur
në miliona kopje në të gjithë botën dhe janë
përkthyer në më shumë se 40 gjuhë të ndryshme.
Por, mbi të gjitha asnjëherë librat e mi nuk kanë qenë
thjesht "bestsellers". Unë mendoj se kjo ka ardhur për
arsye se librat e mi janë kaq të pazakontë, vërtet unikë,
saqë unë kam qenë me fat dhe kam pasur lexuesit e mi personalë,
jo thjesht një masë të pacaktuar njerëzish. Asnjëherë
nuk më ka shtyrë njeri të shkruaj të njëjtën
gjë vazhdimisht, thjesht për të mbajtur në të njëjtën
kuotë të lartë shitjet e librave. Kjo është diçka
e mirë për mua, sepse unë nuk di se si mund të shkruaja
të njëjtin libër vazhdimisht. Për mua, edhe pse shkruaj
romane kërkimore, secili prej librave ka pasur një histori unike,
personazhe të reja dhe të ndryshëm dhe tema ku ne mësojmë
diçka të rëndësishme, siç është një
mesazh mbi jetën. Në të kundërtën, nuk ka asnjë
arsye tjetër për të cilën unë do të shkruaja
një libër.
Si lindi tek Katherine Neville pasioni për letërsinë? Në
ç'moment të jetës tuaj e kuptuat se kjo ishte rruga ku duhej
të ecnit?
Kam qenë rreth 4 vjeçe, kur mbaj mend se iu kam kërkuar të
rriturve të më mësonin të lexoja, sepse isha vërtet
e interesuar të dëgjoja njerëzit teksa lexonin me zë të
lartë dhe unë dëgjoja histori të ndryshme. Historia e
parë që unë mbaj mend është "Piteri dhe Ujku"
dhe më kujtohet që kishte personazhe shumë interesante, siç
ishin kafshët që përfaqësoheshin nga veglat muzikore.
Kështu, në fillim dëshiroja të shpikja muzikë dhe
histori. Por, më vonë ishin vetëm historitë që më
interesonin mua. Librin tim të parë e kam shkruar kur isha vetëm
tetë ose nëntë vjeçe. Shumë shkrimtarë të
tjerë që unë kam njohur, më kanë treguar se edhe
ata kanë filluar të shkruajnë pikërisht në atë
moshë. Megjithatë, unë nuk botova asnjë nga librat e mi
derisa arrita moshën 40-vjeçare!
Jeni cilësuar si femra Umberto Eco, femra Aleksandër Dumas dhe
femra Stephen Spielberg. Çfarë sheh Katherine Neville tek këta
personazhe?
Epo, kjo ka ndodhur para 20 vitesh, kur njerëzit ishin shumë të
shqetësuar për sa i përket mënyrës se si mund t'i
kategorizonin librat e mi (Akoma e kanë të vështirë!)
dhe librat e mi u vlerësuan si fiction shkence, historie, misteri, romance,
aventure, thrilleri dhe nëse do të lexoni sërish të gjitha
vlerësimet dhe kritikat e bëra në atë kohë, asnjëherë
nuk do të mund ta kuptoni se për çfarë flasin librat
e mi! Kështu, ata më quajtën mua "femra" çdo
gjë. E vërteta është se tashmë nuk ka shumë
femra që shkruajnë romane me mistere matematikore, sete shahu, alkimi,
komplote, shoqëri sekrete dhe aksion. E vetmja që më kujtohet
dhe që i pëlqejnë këto gjëra është J.K.
Rowling, dhe madje në librat e saj protagonisti kryesor është
Harry Potter, një mashkull.
Dhe në fund, në librat tuaj zotëron thrilleri, aq sa duket
sikur ju vini nga një botë e tillë. Si janë orët
e ditëve tuaja kur ju nuk shkruani?
Jeta është kërkim, kështu them unë gjithmonë.
Asnjëherë nuk kam reshtur së kërkuari. Sapo kam mbaruar
një tur në 30 qytete të Amerikës, për të promovuar
librin tim, "The fire". Më pas kam shkuar në turin e librit
në Spanjë. Në të gjithë këta muaj, ndërsa
udhëtoja dhe intervistohesha, ndërsa flisja për romanet e mia,
asnjëherë nuk kam ndaluar së bëri kërkime, privatisht
për libra të tjerë që mund të vijnë më
vonë. Kjo kërkon të vizitosh vende sekrete, të fshehura
në mes të vendeve publike për të cilat askush nuk di gjë.
Në Portland Oregon kam shkuar në orën shtatë të mëngjesit
me një taksi në majën e një kodre ku gjendej një
kopsht me trëndafila, prej ku mund të shihje të gjithë
qytetin poshtë dhe gjithë malet përreth. Ky ishte një
vend ku askush nuk shkon në atë orë të ditës. Kam
ecur për gjashtë orë të tëra nëpër kodra
dhe në qytet, në vende vërtet interesante. Më pas u ktheva,
ndërrova rrobat dhe vazhdova të vë firmën në librat
e mi. Këtë e kam bërë edhe në Venecia, në New
York City, në Las Vegas, në La Coruna, në Algjeri dhe për
librin "The fire", madje edhe në Washington DC. Në çdo
vend, unë kam mundur të mësoj se ç'mund të gjesh
në një libër guide mbi historinë e vendeve të ndryshme.
Kjo është mënyra ta bësh këtë lloj letërsie
të vijë e gjallë. (s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)/28 Jan 2009/V.I.